KDI: Mungesa e kuorumit po e pengon përmbushjen e agjendës së Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se puna e Kuvendit të Kosovës për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror është karakterizuar me mungesa të theksuar të kuorumit në punimet plenare.
Në një konferencë për medie, hulumtuesja e lartë në KDI, Agnesa Haxhiu, ka thënë se mungesa e kuorumit në punimet plenare gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë shumë e shpeshtë.
“Në shumë prej seancave, shumica parlamentare nuk ka arritur të siguroj numrin e nevojshëm të deputetëve për të shtyrë përpara iniciativat e saj duke shkaktuar zvarritjen e tyre. Në anën tjetër opozita ka treguar një rol konstruktiv duke marrë pjesë në votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave siç është rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat shumica parlamentare nuk mund t’i kalojë e vetme. Edhe pse, në disa raste, opozita e ka kushtëzuar votën e saj për votimin e marrëveshjeve të caktuara, në këmbim të plotësimit të kërkesave të tyre siç ishte rasti me formimin e komisionit hetimor për energjinë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vlerësuar se numri i mjaftueshëm i deputetëve të LV-së nuk po reflekton edhe në fuqinë politike për të marrë vendime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës. “Rasti i dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili pavarësisht që kishte marrë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe rëndësisë që ky dokument juridik ka për Kosovën, nuk e pati të njëjtën përkrahje edhe nga deputetët që i takojnë shumicës parlamentare”, ka thënë ajo.