KDI: Kryetarët në veri duhet të dorëhiqen, iniciativa e MAPL-së nuk është e mjaftueshme - NACIONALE

KDI: Kryetarët në veri duhet të dorëhiqen, iniciativa e MAPL-së nuk është e mjaftueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se kryetaret aktualë të komunave veriore duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja në ato komuna.

Përmes një komunikate për medie, KDI ka bërë me dije se komuniteti serbe dhe subjektet e tyre poliitke duhet të zotohen që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, KDI vlerëson që kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë. Njëkohësisht, KDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

KDI ka komentuar edhe iniciativën e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ, i cili do të sqaronte rrugën për largimin e tyre me anë të një peticioni.

“Gjithashtu, KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi. Në anën tjetër, ndonëse fokusi institucional dhe ai publik janë tek kryetarët e katër komunave, rikujtojmë që një zgjidhje është e domosdoshme edhe sa i përket kuvendeve komunale përkatëse, ku përfaqësimi politik nuk reflekton përbërjen demografike të këtyre komunave”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme