KDI kërkon që Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, të kthehet në pikën zero
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, që ta kthejë në pikën zero Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë.
Në një komunikatë për media, KDI ka vlerësuar se ligji nuk përmbushë disa të drejta themelore.
“Megjithatë, konsiderojmë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë projektligj. Duhet theksuar po ashtu që Komisioni i Venecias ka evidentuar mangësi dhe probleme në pjesën më të madhe të këtij projektligji, adresimi i së cilave nënkupton ndryshim esencial të përmbajtjes së tij”, thuhet në komunikatë.
“Andaj, në një situatë të tillë, vlerësojmë që është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës, t’a rikthejë këtë iniciativë në pikë zero, duke e tërhequr atë fillimisht nga Kuvendi. Tutje, Ministria e Drejtësisë duhet të themelojë një grup punues të ri dhe gjithëpërfshirës për këtë projektligj, duke u siguruar që secili prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias të reflektohet në draftin e ri”, përfundon njoftimi.