Katër gra e një vajzë 13 vjeçe vriten në dy incidente në Vjenë - NACIONALE

Katër gra e një vajzë 13 vjeçe vriten në dy incidente në Vjenë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet austriake janë duke e hetuar vrasjen e katër grave dhe të një vajze 13 vjeçe në Vjenë brenda një dite, përfshirë tri që u gjetën të therura për vdekje në një shtëpi publike.

Trupat e tri grave të reja u gjetën me plagë fatale të thikës në një shtëpi publike në distriktin Brigittenau të kryeqytetit austriak të premten në mbrëmje, pasi një dëshmitar e njoftoi policinë, raporton gazeta “The Guardian”.

Një burrë 27-vjeç, që besohet se është vrasësi i tyre, u arrestua afër vendit të ngjarjes nën dyshimin për vrasje, tha të shtunën policia austriake.

Nuk është thënë asgjë për motivin e mundshëm të vrasjes dhe i dyshuari po merrej ende në pyetje, raportoi agjencia austriake e lajmeve, APA.

Në një rast tjetër, një grua dhe vajza e saj 13-vjeçare u gjetën të vdekura në një banesë në Vjenë më herët të premten.

Agjencia APA raportoi se ato mund të ishin mbytur përmes ngulfatjes, ndërsa i dyshuari kryesor është bashkëshorti i asaj gruaje, përkatësisht babai i vajzës.

Shoqata austriake e strehimoreve autonome të grave regjistroi 26 vrasje të grave vitin e kaluar dhe në vend e në Evropë është zhvilluar debat për vrasjen e grave e vajzave, shpesh nga duart e partnerëve ose ish-partnerëve të tyre.

Qeveria austriake është zotuar për luftimin e kësaj dukurie, duke u zotuar për ndërmarrjen e disa masave, përfshirë shtimin e fondeve për organizatat që u dalin në ndihmë viktimave të dhunës.

OJQ-të, megjithatë, thonë se Qeveria nuk është duke bërë mjaftueshëm për t’i ndalur vrasjet.

Mes viteve 2010 – 2020, 319 gra janë vrarë në Austri, kryesisht nga partnerët ose ish-partnerët e tyre. Rekordi u regjistrua në vitin 2019, me 43 vrasje, sipas një hulumtimi qeveritar.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme