Katari thotë se bisedimet për armëpushim në Gaza janë në fazë delikate
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohamme bin Abdulrahman Al Thani, tha të mërkurën se bisedimet për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve janë në “fazë delikate”.
“Ne po mundohemi sa më shumë që është e mundshme për ta adresuar këtë bllok pengues” – tha ai, pa dhënë hollësi të mëtejme, raporton agjencia “Reuters”.
Al Thani e dënoi atë që e përshkroi si politikë të “ndëshkimit kolektiv” që po ndiqet nga Izraeli gjatë luftës kundër Hamasit në Gaza dhe eskalimin e fundit në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Diskutimet për armëpushim, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti, po vazhdojnë, përderisa kriza humanitare po i rëndon palestinezët në Gaza me mungesë të madhe të ushqimit, ilaçeve e kujdesit në spitale.
Lufta u nxit nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, kur u vranë 1.200 njerëz e 253 të tjerë u morën peng, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.
Izraeli është hakmarrë duke e goditur Gazën nga ajri e me ofensivë tokësore që ka lënë të vrarë gati 34 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.