Karim Khan shkarkohet nga posti i kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare
Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), Karim Khan, është shkarkuar nga pozita, pasi organi mbikëqyrës i gjykatës ka konstatuar se ai ka kryer shkelje serioze në lidhje me akuzat për abuzim seksual.
Shtetet anëtare të GjPN-së votuan të premten për ta shkarkuar prokurorin britanik në një lëvizje të pashembullt që përmbyll një episod të dëmshëm për gjykatën dy vjet pas kohës kur këto akuza ishin ngritur për herë të parë, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas burimeve të afërta me rezultatin e votimit, 82 nga 125 vendet anëtare kanë votuar për shkarkimin e Khanit në një mbledhje të veçantë në selinë qendrore të OKB-së në Nju-Jork.
Votimi vjen pas një procesi disiplinor përmes të cilit ishin ekzaminuar akuzat për abuzim, të paraqitura nga një grua që kishte punuar për Khanin në GjPN.
Khani disa herë i ka mohuar akuzat, në të cilat përfshihen pretendimet se ai ka qenë pjesë e sjelljeve seksuale detyruese e pa pëlqim për një periudhë të gjatë. Avokatët e tij e kanë kritikuar procesin disiplinor, duke e cilësuar si të padrejtë në aspektin procedural.
Khan ishte zgjedhur në postin e rëndësishëm më 2021 për të shërbyer për mandat 9-vjeçar.