Kapja e 250 kg kanabis, Dogana: Kapja u arrti në saje të përkrahjes nga AKI-ja
Dogana e Kosovës se ka ndaluar 250 kilogramë kanabis në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Përmes një komunikate për media, dogana ka treguar se një gjë e tillë është bërë e mundur në saje të përkrahjes nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
“Operacioni është realizuar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën “Ibrahim Rugova”. Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike”, është thënënë komunikatën për media, duke dhënë detaje tjera.
“Në vendngjarje kanë dalur edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe Prokurorja kompetente. Personi përgjegjës është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim. Dogana e Kosovës vlerëson lartë kontributin dhe bashkëpunimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në këtë rast, dhe thekson përkushtimin e saj për të vazhduar koordinimin e ngushtë me të gjitha institucionet në vend. Ky operacion paraqet një tjetër dëshmi të vendosmërisë së institucioneve tona për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar Dogana e Kosovës.