Kapet 1kg ari i padeklaruar në Aeroport, vlera afër 60 mijë euro - NACIONALE

Kapet 1kg ari i padeklaruar në Aeroport, vlera afër 60 mijë euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi ari të padeklaruar në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se ari ka qenë në sasi prej një kilogram dhe me pastërti prej 14 karatësh.

Vlera reale e arit, konstatohet se është 59 mijë e 294 euro.

“Gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skenerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante. Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 €.” – thuhet në komunikatë.

Tutje, dogana njofton:

“Rasti është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës.

Përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit me institucionet relevante, Dogana e Kosovës luan një rol kyç në mbrojtjen e integritetit të kufijve dhe tregut të Kosovës”.

Lajme të ngjashme