Kandiq: Nga ajo çka kam pa në atë ekspozitë, ekziston një mosdije e plotë se si të bëhet një ekspozitë
Aktivistja nga Serbia, Natasha Kandiq, u paraqit në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ku komentoi ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kjo ekspozitë ka nxitur reagime të forta publike për shkak të perceptimit se paraqet në mënyrë të shtrembëruar ngjarjet historike.
Ajo vuri theksin te nevoja për trajtim të kujdesshëm dhe të bazuar në prova të dokumentuara, duke nënvizuar rëndësinë e verifikueshmërisë së të dhënave dhe kuptimit të saktë të kontekstit të tyre.
“Është shumë e rëndësishme të zbulohen të dhëna të cilat janë me të vërtetë të verifikueshme dhe të cilat dëshmojnë njohurinë se çka nënkupton i burgosur, çka nënkupton kur është i privuar nga liria, çka nënkupton kur në një databazë, në një listë është i përmendur si të ishte ushtar”, tha ajo.
Kandiq u shpreh kritike ndaj mënyrës së realizimit të ekspozitës, duke theksuar se sipas saj mungon një qasje profesionale në prezantimin e materialeve. “Ajo çfarë kam parë unë në atë ekspozitë, jo vetëm kur flasim për Dubravën, por edhe për rastet e tjera, ku ekziston një mosdije e plotë se si të bëhet një ekspozitë, pra të mos përqëndrohet në emra, por vetëm në numra. Në nivel elementar mund të vërehet se diçka e tillë është padije, pandjesi të vendoset që në burgun e Dubravës janë vrarë 48 persona të armatosur”. Pastaj pse të bëhet një ekspozitë nëse nuk shihet se si personat kanë pësuar, kush është përgjegjës aty, sepse në Dubravë edhe në vende të ndryshme kanë ndodhur gjëra të tmerrshme”, tha ajo.