Kandidimi i Hotit, Abdixhiku thërret Kuvendin e partisë të shtunen: LDK s’frikësohet nga anëtarësia e vet - NACIONALE

Kandidimi i Hotit, Abdixhiku thërret Kuvendin e partisë të shtunen: LDK s’frikësohet nga anëtarësia e vet

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Tashmë kur Avdullah Hoti ka shpallur publikisht synimin e tij për ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku, çoi edhe zyrtarisht ftesën Kuvendit të LDK-së me 355 delegatë për ta peshuar me votë “dorëheqjen e ofruar” të tij.

Abdixhiku shkroi se LDK nuk frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara.

Postimi i plotë:

LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo.

Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë.

Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe.

Koha tani të flasë anëtarësia jonë.

Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës.

Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë.

Lajme të ngjashme