Kamberi: Institucionet e Serbisë po ndërhynë në vullnetin e shqiptarëve në prag të zgjedhjeve
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se përfaqësues të organeve shtetërore janë duke ndërhyrë në vullnetin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit.
Kamberi përmes një postimi në Facebook, ka ftuar drejtuesit e organeve të shtetit që të këshillojnë punonjësit e vet të qëndrojnë larg “rekomandimeve” se në cilën listën duhet të votojnë të dielën e 2 qershorit.
“Nga nëndegët tona në terren po marrim informacione shqetësuese për ndërhyrjen e përfaqësuesëve të organeve shtetërore në vullnetin e qytetarëve në prak të zgjedhjeve të 2 qershorit. Ftoj drejtuesit e organeve të shtetit të këshillojnë punonjësit e vet të qëndrojnë larg “rekomandimeve”, “këshillave”, “sugjerimeve” se cilën listë e cilin kandidat duhet ta votojnë të dielën e 2 qershorit.” – ka shkruar Kamberi.
Ai tutje ka bërë thirrje që të qëndrojnë larg vullnetit të lirë të shqiptarëve.
“Mos i përdorni këto metoda se nuk ju bëjnë punë. Kontrollone veten dhe përmbahuni nga ndërhyrja në proces zgjedhor, kjo është detyra juaj ligjore, e mos u mundoni me kontrollu elektoratin. Le të vendosin vet ata kend e përkrahin. Zgjedhjet janë në Bujanoc e Preshevë. Vranja, Surdulica e Nishi, nuk kanë çka përzihen në to. Qëndroni larg vullnetit të lirë të shqiptarëve.” – ka shkruar ndër të tjera Kamberi.
“Inkurajoj secilin individ që vazhdon të merr “telefonata këshilluese, sugjeruese apo kërcënuese” të çfardo llojit e nga cilat do struktura shtetërore të mos e fsheh po të njoftojë opinionin. Vullneti i popullit nuk kontrollohet me telefonata, vullneti i popullit nuk mund të nëpërkëmbet.” – ka shkruar gjithashtu Kamberi.