E mbështet edhe VV-ja: Kalon amandamenti i LDK-së, taksat e qytetarëve do të shpërndahen drejt në të gjitha komunat
Deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë mbështetur amandamentin e LDK-së për largimin nga projektbuxheti të paragrafit 6 të nenit 9, i cili parashihte marrjen e të hyrave vetanake të komunave.
Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se paragrafi është kundërkushtetues dhe duhet të largohet.
“Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia ‘të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin bankar’. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Pas hedhjes në votim të këtij amandamenti, ai është përkrahur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës.
Pro këtij amandamenti kanë votuar 94 deputetë, ndërsa një deputet ka abstenuar.
Paraprakisht, largimin e këtij paragrafi e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.