Kadaj-Bujupi tregon për donacionin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe
Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, ka njoftuar se Emirateve të Bashkuara Arabe kanë dhënë një donacion për ndërtimin dhe pajisjen e një laboratori të hematologjisë në Spitalin Pediatrik "H.H Sheikha Fatima bint Mubarak" në Prishtinë.
Ajo ka bërë me dije se ky donacion është bërë i mundur në saje të bashkëpunimit të vazhdueshëm të presidentes Vjosa Osmani me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Sapo morëm konfirmimin për një donacion të jashtëzakonshëm nga Khalifa Bin Zayed Al Nahyan Foundation për ndërtimin dhe pajisjen e një laboratori të hematologjisë në Spitalin Pediatrik "H.H Sheikha Fatima bint Mubarak" në Prishtinë. Ky projekt vjen si rezultat i përkushtimit të vazhdueshem të Presidentes Osmani dhe ekipit të saj, në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për sistemin tonë shëndetësor”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”, duke shtuar se ky bashkëpunim do të sjell edhe të mira tjera.
“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, së shpejti pritet edhe dorëzimi i pajisjeve mjekësore për Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe QKUK-në. Në emër të Presidencës, falënderojmë nga zemra Emiratet e Bashkuara Arabe, Khalifa Bin Zayed Al Nahyan Foundation, të cilët me këtë donacion po vazhdojnë ndihmën e tyre për Kosovën”, ka shkruar Kada-Bujupi.