Kaçanik: Policia sekuestron mbi 17 kilogramë marihuanë, arrestohen dy të dyshuar
Në Kaçanik është zhvilluar një operacion policor që ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancës narkotike dhe arrestimin e dy personave të dyshuar.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 19.06.2026, rreth orës 17:30, kur hetuesit nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Kaçanik kanë tentuar të ndalojnë një veturë për kontroll. Drejtuesi i automjetit fillimisht ka arritur t’i shmanget kontrollit policor.
Më pas, njësitë policore kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë veturën. Gjatë kontrolleve në zonën ku dyshohej se ishte larguar automjeti, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj kanë gjetur tre thasë të hedhur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sipas policisë, substanca dyshohet të jetë hedhur nga vetura gjatë tentimit për t’iu shmangur ndalimit. Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 17 kilogramë e 834.6 gramë.
Në lidhje me rastin janë sekuestruar edhe prova të tjera relevante, ndërsa janë arrestuar dy të dyshuar: F.K. (1961, shtetas i Shqipërisë) dhe A.C. (2001, shtetas i Maqedonisë së Veriut).
Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj është njoftuar për rastin dhe, në koordinim me të, të dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.