Kabashi-Ramaj: Qeveria Kurti ka dështuar ndaj provokimeve të Serbisë dhe luftës hibride të Rusisë - NACIONALE

Kabashi-Ramaj: Qeveria Kurti ka dështuar ndaj provokimeve të Serbisë dhe luftës hibride të Rusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti se ka dështuar në raport me kërcënimet e Serbisë dhe Rusisë.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ekzekutivi ka dështuar në raport më provokimet e Serbisë dhe luftën hibride të Rusisë.

“Qeveria ka dështuar vazhdimisht të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj provokimeve dhe kërcënimeve serbe, t’i kundërvihet luftës hibride ruse dhe të menaxhojë çështjet e sigurisë së brendshme, duke përfshirë integrimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Sipas saj, as në fushën e sigurisë Qeveria nuk është përmbajtur nga veprimet populiste.

Ajo ka kritikuar disa iniciativa ligjore të ekzekutivit në fushën e sigurisë.

“Iniciativat legjislative si projektligji për Inteligjencën Ushtarake dhe projektligji i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shfaq të meta të rëndësishme, duke treguar një mospërfillje të strukturave ekzistuese dhe një qasje alarmante për shpërbërjen e institucioneve tashmë ekzistuese dhe rindërtimin nga e para. PDK-ja synon të zhvillojë një platformë largpamëse të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes për 10 deri në 20 vitet e ardhshme, duke u fokusuar në vizionin, njohurinë, kompetencën dhe inovacionin, të dobishme për të gjithë qytetarët. Qëllimi ynë është të krijojmë një Republikë të Kosovës të sigurt, agjile dhe strategjikisht të pozicionuar dhe të aftë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të reja”, është shprehur Kabashi-Ramaj.

Lajme të ngjashme