Jusuf Thaçi: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë, kështu veproi Profeti Muhamed
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka porositur vajzat e reja që të mos braktisin shkollimin për shkak të shamisë.
Duke u përfshirë në debatin për shaminë, ai ka thënë se deri të zgjidhja e kësaj çështje vajzat duhet t’i japin përparësi shkollimit.
“Dilemën e ka zgjidhur Profeti: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë! Derisa të tjerët ta përfundojnë “debatin” (debat i thënçin) se a duhet të lejohet apo jo shamia për nxënëset e shkollave publike në Kosovë dhe derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me legjislacion, unë e kam një porosi për vajzat (por edhe për prindërit e tyre) që ballafaqohen me dilemën për të zgjedhur mes shkollimit ose shamisë. Porosia ime është e thjeshtë: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, këtë dilemë e ka zgjidhur profeti Muhamed.
“Kushdo që është kundër kësaj porosie, le ta merr shembullin e të Dërguarit të Zotit, Profetit Muhamed (paqe i çoj me zemër, jo me kompjuter). Kujtoni marrëveshjen e Hudejbisë mes Profetit dhe kurejshëve të Mekës (nëse nuk e dini ose e keni harruar, lexojeni ose rilexojeni). Profeti nënshkroi marrëveshje me idhujtarët e politeistët. Nënshkroi marrëveshje me njerëzit që i kishin vrarë, i kishin torturuar, i kishin dëbuar e nuk po i lejonin myslimanët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Mekë. Jo vetëm kaq! Profeti propozoi që në tekstin e kësaj marrëveshjeje të shkruhej “Allahu i Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë” dhe “Muhamedi, i Dërguar i Allahut”, por pala kurejshite nuk u pajtua me këto, sepse nuk e pranonte as Allahun si Zot e as Muhamedin si të Dërguar të Allahut. Por, me qëllim që të arrihej nënshkrimi i marrëveshjes që siguronte paqe dhe disa të drejta për myslimanët, me urtësinë dhe mirësinë e tij, Profeti hoqi dorë dhe u pajtua me palën kurejshite që ato pjesë të tekstit të hiqen nga dokumenti i marrëveshjes dhe të ndryshohen e të shkruhen në përputhje me kërkesën e kurejshëve dhe traditën arabe para-islame. Si rezultat i kësaj, marrëveshja mes Profetit dhe kurejshëve të Mekës u arrit dhe u nënshkrua”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se me këtë veprim profeti as nuk kishte hequr dorë nga Zoti e as nga fakti se ai ishte Profet i Zotit.
“Thjesht na ofroi një shembull model për të na treguar që të tjerët kanë të drejtë të mos pajtohen me ne, kanë të drejtë të mos e pranojnë atë që besojmë ne e atë çka jemi ne, kanë të drejtë të mbajnë besimin e tyre e të mos bëhen si ne. Gjithë çfarë mund e duhet të kërkojmë prej tyre, me urtësi e mirësi, janë paqja dhe realizimi i të drejtave tona. Andaj, nëse e marrim për bazë këtë shembull/mësim nga Profeti dhe e zabtojmë atë në situatën për të cilën po flasim, atëherë zgjidhja e dilemës së këtyre vajzave në Kosovë që janë të detyruara të zgjedhin mes shkollimit ose shamisë, është e qartë: ato duhet të vazhdojnë shkollimin edhe nëse detyrohen të heqin dorë nga shamia, sepse shkollimi është shumë më i rëndësishëm se shamia”, ka shkruar Thaçi.