“Jeni pjesë e lojës së Kurtit”: Molliqaj u ‘mëshon’ Abdixhikut dhe Krasniqit - NACIONALE

“Jeni pjesë e lojës së Kurtit”: Molliqaj u ‘mëshon’ Abdixhikut dhe Krasniqit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pjesë e lojës së Kurtit”, i ka quajtur Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, dy krerët e partive opozitare Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin; për të cilët tha se “po i shërbejnë Kurtit edhe në menaxhimin e opinionit publik”.

Molliqaj iu drejtua Abdixhikut dhe Krasniqit – pas takimeve informuese të këtyre dy partive me ndërmjetësin sllovan për t’u njoftuar me përmbajtjen e Statutit të ri të Asociacionit – me fjalët “Tregojeni draftin Lumir e Memli!”.

Reagimi i Molliqajt:

Tregojeni draftin Lumir e Memli!

Drafti po fshihet sepse drafti po dihet. Kështu do të thoshte kryeministri në një tjetër kohë dhe nga një tjetër pozicion. Do të kishte të drejtë sepse mungesa e transparencës nuk është thjesht fshehje e informatës. Është përmbajtja problematike e lajmit, arsyeja e fshehjes.

Dialogu që ka udhëhequr Kurti është më i mbylluri dhe më i fshehti. Po na rezulton edhe më i dëmshmi. Edhe sanksione edhe Asociacion. Sa më shumë sekrete aq më shumë dëme. Drafti tashmë është pranuar, pse nuk zbulohet?!

Puna e fshehtë është mënyra e kryeministrit. Pjesë e kësaj loje janë bërë edhe Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku. Ata jo thjesht kanë abstenuar nga çfarëdo kundërshtimi. Po i shërbejnë Kurtit edhe në menaxhimin e opinionit publik. Marrëveshjen e din Kurti, mbase Besnik Bislimi; e kanë parë edhe liderët opozitarë, askush tjetër.

Lajme të ngjashme