Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm: Kosova e Gjermania me “partneritet strategjik në fushën e klimës” - NACIONALE

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm: Kosova e Gjermania me “partneritet strategjik në fushën e klimës”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Edicioni i 7-të i “Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë” ka nisur, duke mbajtur shumë aktivitete dhe rekomandime “për një të ardhme më të gjelbër”.

Të ftuar në këtë edicion ka pasur nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë diskutuar mbi tema të rëndësishme në Prishtinë dhe Prizren.

Një nga njerëzit më të rëndësishëm që mori pjesë ishte ministrja e Gjermanisë për Klimën, Anna Lührmann, cila tha se kërkohet bashkëpunim për “zhvillim të qëndrueshëm”.

Në fillim të këtij viti pata kënaqësinë të nënshkruaj partneritetin për tranzicionin klimatik dhe energjetik ndërmjet dy vendeve tona, me ministrat Rizvanolli dhe Aliu në Berlin. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua, sepse me këtë nënshkrim e bëmë të qartë që Kosova dhe Gjermania po punojnë së bashku për një Evropë të gjelbër dhe të shëndoshë”, ka thënë ajo.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Kjo javë është një mundësi unike për të treguar përkushtimin tonë për një Kosovë të gjelbër dhe të qëndrueshme në veçanti e mbështes ministren Luhrmaan për marrëdhënien unike që ka Kosova me Gjermaninë dhe posaçërisht për mbështetjen e saj të vazhdueshme në këtë partneritet tonin strategjik në fushën e klimës dhe energjisë. Republika e Kosovës gjatë viteve të fundit ka bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik dhe agjendën klimatike duke treguar vizionin dhe angazhimin tonë për një të ardhme të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Në hapje të edicionit të shtatë ishin të pranishëm edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendës Shefja e Zyrës së BE-së, Eva Palatova.

Në kuadër të këtij organizimi, ka qenë e hapur ekspozita “Energjia në Tranzicion - Fuqizimi i të Nesërmes” dhe Këndi i Gjelbër, në kuadër të fushatës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”, ndërsa ka qenë e hapur edhe një garë për foton më të mirë, ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të votojnë për njërën nga shtatë fotot e garës “Vepro Gjelbër’.

Lajme të ngjashme