Jasharaj ministres Nagavci: Të ka ndryshuar kolltuki
SBASHK-u ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.
Sipas SBASHK-ut, një reflektim nga ministrja Nagavci, do të mirëpritej, mirëpo kjo nuk ndodhi.
“SBASHK-u do të ndjehej i lumtur sikur Ministrja Ngavci me deklarimin e saj publik të sillte lajmin se pas angazhimeve të saj Qeveria , më në fund, ka ndryshuar qasjen ndaj dialogut me sindikatat dhe se do të nis me takimet e dialogun në përpjekje për të gjetur bashkërisht zgjidhje për kërkesat legjitime të SBASHK-ut dhe sindikatave tjera për të mos pasur nevojë për veprime sindikale dhe për grevën e përgjithshme. Mirëpo kjo nuk ndodhi e në vend të kësaj Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim”, shkroi SBASHK-u në njoftimin e tyre.
Për më tepër, sipas SBASHK-ut pozicioni i ministres e ka ndryshuar deklarimin e Nagavcit.
“Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se “greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes” për të shtuar, veç tjerash edhe se “ ...sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës”, shkruhet më tutje në këtë njoftim.