Ja çfarë u sekuestrua në aksionin e sotëm të Policisë kundër korrupsionit
Sistemi Prokurorial ka dhënë hollësi të reja rreth aksionit kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare që u realizua të enjten, duke i bërë të ditura rezultatet, përfshirë arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e të hollave, dokumenteve e gjësendeve.
Për më tepër, Sistemi Prokurorial publikoi fotografi të parave dhe gjësendeve të tjera të sekuestruara. Në fotografi shihen shumë kartëmonedha 100-she.
Njoftimi i plotë:
Aksioni kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare
Prishtinë, 18 Dhjetor 2025 - Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprave penale:
korrupsion,
keqpërdorim të detyrës zyrtare,
dhënie dhe marrje ryshfeti,
ushtrim të ndikimit
mashtrim,
armëmbajtje pa leje.
Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore.
Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.
Me vendim të Prokurorisë Speciale shtatë personat ndalohen për 48 orë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar:
- rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme,
- armë,
- bizhuteri,
- dokumente të ndryshme,
-pajisje elektronike.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.


