Izraeli vret me dron tre luftëtarë të Hezbollahut në Liban
Një sulm izraelit me dron la të vrarë tre luftëtarë të Hezbollahut të shtunën në Liban, thanë burimet e sigurisë në këtë shtet. Ata i shtohen numrit të të vrarëve gjatë armiqësive të gjata me muaj në zonën kufitare, që janë zhvilluar paralelisht me luftën në Gaza.
Tre burrat u vranë, kur vetura në të cilën ndodheshin u shënjestrua në një rrugë bregdetare, afër qytezës Naqoura, thanë burimet. Ushtria izraelite tha se ishte duke i kontrolluar raportimet për këtë incident, raporton agjencia “Reuters”.
Nga sulmet izraelite nga tetori janë vrarë më shumë se 200 luftëtarë të Hezbollahut dhe rreth 50 civilë në Liban, ndërsa nga sulmet prej Libanit në Izrael janë vrarë 12 ushtarë izraelitë e pesë civilë. Dhjetëra mijëra izraelitë e libanezë kanë ikur nga fshatrat në të dyja anët e kufirit.
Njësoj si Hamasi, edhe Hezbollahu është aleat i Iranit. Ky grup thotë se qëllimi i fushatës së tij në zonën kuftiare është që të përkrahen palestinezët nën zjarrin izraelit në Rripin e Gazës.
Hezbollahu sinjalizoi këtë javë se do t’i ndalte sulmet, nëse ndërpritet ofensiva izraelite në Gaza, por se gjithashtu është i gatshëm për t’i vazhduar luftimet, nëse lufta në Gaza vazhdon. Të premten, Hezbollahu njoftoi për vdekjen e katër anëtarëve të vrarë në Liban.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, të dielën e kaluar la të kuptohej se vendi i tij planifikon që t’i shtojë sulmet kundër Hezbollahut në rast të një armëpushimi në Gaza, por ishte i hapur për një marrëveshje diplomatike për tërheqjen e luftëtarëve të këtij grupi nga zona kufitare.
Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, i tha agjencisë “Reuters” të enjten se një ndërprerje e luftimeve në Gaza javën e ardhshme do të nxiste bisedime të tërthorta për t’u dhënë fund edhe armiqësive në kufirin Izrael – Liban.