Izraeli thotë se u sulmua me raketa nga Gaza pas vizitës së Biden-it - NACIONALE

Izraeli thotë se u sulmua me raketa nga Gaza pas vizitës së Biden-it

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite tha se militantët palestinezë në Rripin e Gaza-s hodhën dy raketa në drejtim të pjesës jugore të Izraelit të shtunën në mëngjes, disa orë pas përfundimit të vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden, në Izrael dhe në territoret palestineze.

Njëra nga raketat u penga nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore, ndërsa tjetra ra në një zonë të hapur, tha ushtria izraelite. Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë person të lënduar.

Asnjë grup palestinez nuk e mori përgjegjësinë për hedhjen e këtyre raketave, që i aktivizoi sirenat paralajmëruese në qytetin bregdetar, Ashkelon, dhe në zonën përreth tij.

Izraeli shpesh e fajëson Hamas-in, grup militant që e qeveris Gaza-n, për çfarëdo dhune që buron nga enklava palestineze.

Tensionet, që u rritën muajve të fundit, u ulën para dhe gjatë vizitës treditore të presidentit amerikan në Izrael dhe në Bregun Perëndimor.

Hamas-i e refuzoi shprehjen e keqardhjes nga Biden-i për palestinezët, duke i quajtur Shtetet e Bashkuara “partnere në agresionin kundër popullit tonë”. Ky grup gjithashtu e kritikoi presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, për takimin me homologun amerikan dhe për përsëritjen e përkrahjes për procesin e paqes me Izraelin.

Lajme të ngjashme