Izraeli thotë se ka goditur një qendër për prodhimin e centrifugave në Iran
Ushtria izraelite thotë se ka goditur “një qendër të prodhimit të centrifugave dhe disa qendra të prodhimit të armëve” gjatë natës së kaluar në Iran.
Gazeta “The Guardian” nuk ka pasur mundësi që t’i vërtetojë këto pretendime dhe Qeveria e Iranit nuk e ka pranuar publikisht ekzistencën e këtyre sulmeve.
“Më shumë se 50 aeroplanë luftarakë të Forcës Ajrore, të udhëzuar nga inteligjenca precize nga Drejtoria e Inteligjencës, kompletuan një varg sulmesh ndaj caqeve ushtarake në zonën e Teheranit orëve të fundit” – thuhet në njoftim.
“Gjatë valës së sulmeve, disa qendra të prodhimit të armëve u shënjestruan. Në mesin e objekteve për prodhimin e armëve që u sulmuan ishte një qendër për prodhimin e lëndës së parë dhe përbërësve për montimin e raketave tokë – tokë që regjimi iranian i ka hedhur dhe vazhdon t’i hedhë drejt Shtetit të Izraelit” – thuhet më tej.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se një shpërthim i madh u dëgjua rreth orës 5 të mëngjesit të së mërkurës në Teheran, pas shpërthimeve të tjera që ishin dëgjuar më herët në errësirën para agimit.
Të paktën një sulm u duk se e kishte në shënjestër lagjen lindore të Teheranit, Hakimiyeh, ku Rojat Revolucionare kanë një akademi.