Izraeli e sulmon Rafahun pas raketave të Hamasit drejt Tel-Avivit, raportohet për 35 viktima - NACIONALE

Izraeli e sulmon Rafahun pas raketave të Hamasit drejt Tel-Avivit, raportohet për 35 viktima

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 35 persona janë vrarë pas një sulmi ajror izraelit në tendat ku po qëndronin persona të zhvendosur në qytetin jugor të Gazës, Rafah, kanë thënë mjekët palestinezë, disa orë pasi Hamasi nisi një grumbull raketash drejt Tel-Avivit për herë të parë në disa muaj.

Në pamjet nga vendi i ngjarjes në Rafah shihen dëmet e mëdha në një kamp si dhe një zjarr që e kishte kapluar zonën. Ushtria izraelite tha se forca ajrore e saj goditi një kompleks të Hamasit dhe se sulmi u krye me “municion preciz dhe mbi bazën e inteligjencës precize”, raporton gazeta “The Guardian”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se i kishin likuiduar komandantin e Hamasit për Bregun Perëndimor dhe një zyrtar tjetër të lartë që qëndronte prapa sulmeve vdekjeprurëse ndaj izraelitëve, duke shtuar se ushtria ishte “e vetëdijshme për raportimet që tregojnë se si rezultat i sulmit dhe zjarrit që ishte ndezur, disa civilë në zonë janë lënduar”. “Incidenti është në shqyrtim” – tha më tej ushtria izraelite.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ishte në Rafah të dielën dhe u njoftua për “thellimin e operacioneve” atje, tha zyra e tij.

Një zëdhënës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se numri i të vdekurve ka gjasë që të rritet, përderisa po vazhdonin përpjekjet për kërkim-shpëtim në lagjen Tal al-Sultan të Rafahut, e cila ndodhet rreth dy kilometra në veriperëndim të qendrës së qytetit.

Lajme të ngjashme