Izraeli e sulmon Libanin më pak se një ditë pas bisedimeve të para të drejtpërdrejta në disa dekada
Ushtria izraelite kreu një valë të re të sulmeve ajrore në jug të Libanit, më pak se një ditë pasi dy vendet i zhvilluan bisedimet e para të drejtpërdrejta në disa dekada.
Banorëve të qytezave Mjadel, Baraachit, Jbaa dhe Mahrouna iu kërkua që të largoheshin nga zonat përreth vendeve ku ushtria izraelite pretendoi se kishte depo armësh që i përkasin Hezbollahut. Nuk është raportuar për viktim, sipas televizionit BBC.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se këto objekte përbënin shkelje të armëpushimit dhe paralajmëroi se forcat do të vepronin “për të hequr cilindo rrezik” ndaj Izraelit.
Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme ndaj Libanit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në nëntorin e vitit të kaluar, pas 13 muajve luftimesh.
Nuk pati komente të menjëhershme nga udhëheqësit e Libanit për sulmet e së enjtes nga fqinji jugor.
Sulmet e së enjtes ndodhën më pak se 24 orë pasi Izraeli e Libani dërguan emisarë civilë në qytezën kufitare libaneze Naqoura për bisedimet e para mes tyre në disa dekada.