Izraeli e sulmon jugun e Bejrutit edhe pas paralajmërimit të ShBA-së
Raportohet se periferia jugore e Bejrutit në Liban u godit nga disa sulme të mërkurën herët, për herë të parë në disa ditë që ajo zonë u vu në shënjestër.
Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim dhe kishin parë një shtëllungë tymi, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, raportoi se tymi doli mes ndërtesave në Haret Hreik pas sulmit, para se të ndodhte një sulm tjetër ca çaste më vonë.
Sulmi erdhi pasi ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve që menjëherë të evakuoheshin nga ndërtesa të caktuara në periferinë jugore të kryeqytetit libanez të mërkurën herët. Në një deklaratë, ushtria tha se atje do të godiste së shpejti caqe të Hezbollahut.
Sulmet izraelite ndodhën vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se e kundërshtonin fushëveprimin e sulmeve izraelite në Bejrut në kohën e rritjes së numrit të viktimave dhe frikës për eskalim më të gjerë rajonal, raportoi agjencia “Reuters”.
Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara ia kishin shprehur shqetësimin e tyre administratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, rreth sulmeve të fundit.
Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, kishte thënë të martën se kontaktet e tij me zyrtarë amerikanë kishin prodhuar “një lloj garancie” se Izraeli do t’i pakësonte sulmet ndaj Bejrutit dhe periferisë jugore të qytetit.
Hera e fundit kur ishte sulmuar kryeqyteti libanez, ishte më 10 tetor, të enjten e kaluar, kur nga dy sulme afër qendrës së qytetit ishin vrarë 22 njerëz dhe ishin shembur ndërtesa të tëra në një lagje me popullsi të dendur.