Izraeli e mirëpret hapjen e korridorit detar të ndihmave për Gazën, premton lehtësim
Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se e mirëpret hapjen e një korridori detar për dërgimin e ndihmave humanitare nga Qiproja për në Rripin e Gazës, ku banorët po ballafaqohen me uri e mungesë të furnizimeve të tjera elementare pas pesë muajve luftë.
“Izraeli do të vazhdojë që ta lehtësojë transferimin e ndihmave humanitare te banorët e Gazës, në përputhje me ligjet e luftës dhe në bashkërendim me ShBA-në dhe aleatët tanë përreth botës” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Më tej, në deklaratë thuhet se Izraeli do të vazhdojë që të luftojë kundër Hamasit “deri në eliminimin e tij dhe kthimin e të gjitha pengjeve”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se një korridor detar për ndihma drejt Gazës mund ta fillojë operimin këtë fundjavë, ndërsa një dërgesë testuese do të niset nga Qiproja të premten.
Njoftimi i zyrtares së lartë evropiane vjen pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara se ato do të ndërtojnë një port të përkohshëm në Gaza, raporton televizioni BBC.