Iu vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve për sulmin në Banjskë
Tre të dyshuarit Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë ua është vazhduar paraburgimi edhe për dy mauj (secilit veç e veç).
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa lajmi u bë i ditur nga bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës, për Betimin për Drejtësi.
Të tre dyshohet për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.