Italia thotë se është e gatshme ta trajnojë policinë në Gaza
Italia qëndron e gatshme për ta mbështetur trajnimin e forcave policore në Gaza dhe në pjesë të tjera të territoreve palestineze, tha të hënën ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, kur Roma po synon që të luajë një rol në stabilizimin e Lindjes së Mesme.
“Ne jemi të gatshëm që të trajnojmë një forcë të re policore të Gazës dhe gjithashtu jemi gati të trajnojnë një forcë policore palestineze” – tha kryediplomati Italian në një konferencë për gazetarë në Romë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Ai konfirmoi se Italia është e gatshme që të marrë pjesë si vëzhguese në Bordin e Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe se ky shtet është ftuar që të marrë pjesë në takimin e këtij grupi që mbahet këtë javë në Uashington.
Të dielën, Trumpi tha se vendet anëtare të Bordit të Paqes janë zotuar për të dhuruar 5 miliardë dollarë për rindërtimin e Gazës dhe gjithashtu do të zotohen për të angazhuar mijëra anëtarë personeli për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në enklavë.
Në shkrimin e presidentit amerikan nuk u saktësua se cilat shtete i kanë dhënë këto premtime ose cilat vende do të kontribuojnë me personel. Megjithatë, agjencia e lajmeve “Associated Press” ka raportuar se Indonezia pret që deri në 8.000 trupa të saj të jenë të gatshme deri në fund të qershorit për dislokim të mundshëm në Gaza si pjesë e një misioni humanitar e për mbrojtjen e paqes.
Më shumë se 20 shtete, përfshirë Izraelin, kanë thënë se kanë marrë ftesa për t’u bërë anëtare të Bordit të Paqes.