Italia ia dorëzon Gjermanisë ukrainasin e dyshuar për shpërthimin në “Nord Stream” - NACIONALE

Italia ia dorëzon Gjermanisë ukrainasin e dyshuar për shpërthimin në “Nord Stream”

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Një burrë ukrainas i dyshuar për bashkërendimin e sabotimit të gazsjellësit “Nord Stream” më 2022 arriti në Gjermani të enjten, pasi gjykata më e lartë italiane javën e kaluar e miratoi ekstradimin e tij, thanë prokurorët federalë gjermanë.

Shpërthimet që e shkatërruan gazsjellësin në Detin Baltik para tre vjetëve e kishin dëmtuar shumë transitin e gazit rus drejt Evropës, duke i pakësuar dërgesat e energjisë në kontinent, edhe pse Rusia në masë të madhe e kishte ndërprerë furnizimin.

Rusia dhe shtetet perëndimore kanë thënë se incidenti ishte akt sabotimi, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Ukrainasi i identifikuar si Serhii K mohon se ka pasur ndonjë rol në këto sulme. Avokati i tij, Nicola Canestrini, ka thënë se ka besim që klienti i tij do të lirohet nga akuzat gjatë gjykimit në Gjermani.

Prokurorët gjermanë e akuzojnë atë se i përkiste një grupi të njerëzve që kishin vendosur pajisje në gazsjellës afër ishullit danez Bornholm në Baltik.

I dyshuari ishte arrestuar sipas një urdhërarresti evropian në qytezën Rimini të Italisë në gusht dhe kishte bërë përpjekje që ta kundërshtonte ekstradimin e tij në Gjermani. Ai ballafaqohet me akuza për bashkëpunim për shkaktim të shpërthimit, sabotim antikushtetues dhe shkatërrim të strukturave të rëndësishme.

“I akuzuari u transferua nga Italia sot. Ai pritet të paraqitet para gjykatësit hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Karlsruhe nesër” – thanë prokurorët.

Lajme të ngjashme