Ismaili: Qeverisja lokale, porta e parë ku thyhen kuotat gjinore
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se qeverisja lokale është porta dhe hapi i parë ku thyhen kuotat gjinore.
Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ku është mbajtur paneli i dytë i diskutimit me temën “Gratë dhe Qeverisja Lokale”, ai ka deklaruar se ky nivel i qeverisjes është porta e parë ku qytetari merr shërbime nga pushteti.
“Është e rëndësishmë me kuptu që qeverisja lokale është porta e parë në të cilën qytetarët marrin shërbimin, ndikojnë, kanë aktivitetin e vet të parë, ndoshta demokratik dhe arrijnë ta bëjnë ndryshimin e jetës së tyre. Por, ajo që dihet pak në realitet, është edhe porta ku thyhet kuota gjinore”, ka thënë Ismaili.
Kurse, kryesuesja e Kuvendit Komunal në Vushtrri, Melihate Basholli tha se ka përparim në avancimin e pozitës së gruas në vendimmarrje.
“Sot secili prej nesh, si burrat, si gratë jemi shumë të gatshëm t’i nxisim për aktivitete secilën prej nesh, ndërsa më parë ka pasur paragjykime, skepticizëm. Shumë pak njerëz kanë besuar që gratë dhe vajzat mund të bëjnë punë të mëdha, mund të marrin pjesë në vendimmarrje. Pra, sfidat kanë qenë shumë më të mëdha, shumë më të vështira”, theksoi ajo.