Ismaili, Konjufcës: Po bëhet korrupsion e s’po të dëgjohet zëri, pse nuk po guxon me fol?
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë debatit të nënkryetarëve, duke e kritikuar për mungesë reagimi ndaj pretendimeve për korrupsion në sektorin e shëndetësisë.
Ismaili tha se gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, veprimet dhe dokumentacioni i tij ishin hetuar nga institucionet përkatëse, por sipas tij nuk ishte konstatuar asnjë shkelje.
“I keni kontrolluar të gjitha dokumentet e mia sa kam qenë ministër i Shëndetësisë, i keni çuar në prokurori dhe s’keni gjetur asgjë. A e di pse? Sepse unë e kam ndalur korrupsionin sa kam qenë ministër”, tha Ismaili.
Ai vazhdoi kritikat duke pretenduar se aktualisht në Ministrinë e Shëndetësisë po ndodhin keqpërdorime financiare, duke përmendur si shembull furnizimet me pajisje mjekësore.
“Po bëhet korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë, e ty s’po të dëgjohet zëri. Pse nuk po guxon me fol? Ti duhet me marrë përgjegjësi”, iu drejtua Ismaili Konjufcës.