Ish-presidentja e Zvicrës e quan Rugovën “baba të Pavarësisë”: Më pëlqente të punoja me të
Ndonëse Ibrahim Rugova, ish-president i Kosovës, ka vdekur që 17 vite, figura e tij vazhdon të jetë e respektuar nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar. Natyrisht, në sytë e kosovarëve, ai shpesh konsiderohet si “babai i Pavarësisë”.
Një epitet të tillë ia vendosi edhe ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, në një intervistë për “swissinfo”.
Madje, Calmy-Rey deklaroi se Rugova ishte politikani që i bëri më së shumti përshtypje.
“Figura politike që më bëri më shumë përshtypje në Kosovë ishte presidenti pacifist Ibrahim Rugova, babai i pavarësisë. Nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, më pëlqente të punoja me bashkëbiseduesit në anën e Kosovës në vitet nëntëdhjetë. Funksionoi mire.” - deklaroi ish-ministrja e Jashtme, Micheline Calmy-Rey, e cila e vlerësoi edhe figurën e Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës.
“Ai ishte kryeministër i Kosovës dhe kishte njohuri të mëdha për Zvicrën, gjermanishtja e tij zvicerane është gjithashtu shumë e mirë.” – tha ajo për Thaçin, transmeton Klan Kosova.