Ish-ministri i Shëndetësisë i shkruan letër Zelenskyt: Pa kurrfarë turpi në Beograd deklaruat se Ukraina s’e njeh Kosovën - NACIONALE

Ish-ministri i Shëndetësisë i shkruan letër Zelenskyt: Pa kurrfarë turpi në Beograd deklaruat se Ukraina s’e njeh Kosovën

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i ka shkruar një letër presidentit të Ukrianës, Volodymyr Zelensky.

Në këtë letër, ai shpreh “zhgënjim të thellë” me deklaratat e bëra nga Zelensky gjatë qëndrimit të tij në Beograd.

“Ju shkruaj si qytetar i botës, si ish-Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dhe si shqiptaro-amerikan, dhe këtë shënim e shkruaj me zhgënjim të thellë. Më 8 gusht, duke qëndruar pa kurrfarë turpi në Beograd përkrah presidentit Vuçiq, ju deklaruat se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Afër 120 vende në mbarë botën e kanë njohur Republikën e Kosovës, ndër to njëzet e dy nga njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian në të cilin ju synoni të hyni, si dhe pothuajse çdo anëtar i aleancës së NATO-s, armët e së cilës i mbrojnë qytetet tuaja. Ju zgjodhët të thoni të kundërtën në Beograd, nga një podium i ndarë me të vetmin udhëheqës në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion të vetëm ndaj qeverisë që po bombardon vendin tuaj. Ajo nuk ishte deklaratë parimi. Ishte një skenar i shkruar në Moskë, dhe ju e lexuat me zë”, ka shkruar ai.

Sipas Latifit, kjo është politikë e rrezikshme edhe për Ukrainën, derisa ka përmendur sanksionet evropiane dhe amerikane, të cilave Kosova iu bashkua kundër Rusisë.

“Kjo është politikë e rrezikshme, dhe është e rrezikshme para së gjithash për Ukrainën. Shtetet që e mohojnë sovranitetin tonë janë, pothuajse pa përjashtim, po ato shtete që e mohojnë sovranitetin tuaj. Çdo argument që është përdorur kundër Kosovës, është përdorur edhe kundër jush, nga e njëjta fuqi dhe me të njëjtat fjalë. Kur ju ia jepni zërin tuaj atij argumenti në Beograd, ju nuk i dobësoni aspiratat e Ukrainës. Ju nuk e dobësoni Kosovën. Ju e dobësoni tokën mbi të cilën po qëndroni.

Kosova iu bashkua sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë atëherë kur asgjë nuk na detyronte ta bënim një gjë të tillë. Ne i hapëm shtëpitë tona për gazetarët ukrainas dhe për familjet ukrainase që ikën nga lufta. Ne e njohim Ukrainën brenda të gjitha kufijve të saj, përfshirë Krimenë. Si Ministër i Shëndetësisë, isha krenar që votova në mbështetje të Ukrainës, dhe do ta jepja atë votë edhe nesër. Ne nuk kërkojmë prej jush asgjë që nuk e kemi dhënë tashmë vetë”, ka shkruar Latifi.

Postimi i plotë:

Lajme të ngjashme