Ish-këshilltari i Thaçit: Presidentja është epiqendra e përçarjeve politike në Kosovë
Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, e ka kritikuar fjalimin e Presidentes Vjosa Osmani, të cilin sot e ka mbajtur në Kuvend.
Ai ka thënë se adresimi vjetor i shefes se shtetit dëshmon se ajo është epiqendra e përçarjeve politike në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Osmani ka shkelur tri herë Kushtetutën e Kosovës.
“Fjalimi për fundvit i Presidentes Osmani edhe një herë dëshmon se ajo është epiqendra e përçarjeve politike në Kosovë. Presidentja Osmani ka shkelur tri herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pasi ka parë që mbështetja popullore e saj ka rënë për tokë, Presidentja Osmani i rikthehet teknikave primitive të akuzave kundër oponentëve politikë!”, ka shkruara ai.
Sipas tij, e para e vendit është duke bërë tregti me sovranitetin e Kosovës.
“Derisa lexonte fjalimin përplot urrejtje, Presidentja Osmani është duke bërë tregti me sovranitetin e Kosovës, duke negociuar për autonomi të veriut të Kosovës. Je duke kërkuar vend në histori. Atë tashmë e ke fituar. Ti gjithmonë do të jesh në anën e kundërt të historisë së Kosovës”, ka shkruar Behrami.