Ish-këshilltari i Thaçit: Deklaratat e Borrellit vërtetojnë politizimin e procesit ndaj Thaçit
Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidenti Hashim Thaçi, i ka reaguar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili ka thënë se Thaçi është arrestuar nga EULEX-i.
Ai ka bërë me dije se ish presidenti Thaçi nuk është arrestuar, por është vetëdorezuar.
Në profilin e tij në “Facebook”, Behrami ka shkruar se deklaratat e kryediplomatit evropian vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Gënjeshtrat skandaloze të Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së. Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Pra, është vetëdorëzuar, pasi ka dhënë dorëheqje. Ai nuk është duke u mbajtur në Amsterdam, por në Sheveningen të Hagës”, ka shkruar Behrami.
Ai ka ia ka rikujtuar Borrellit se Gjykata Speciale nuk është institucion i BE-së, por i Kosovës.
“Por, sa për dijeni të z. Borrell, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Ndoshta ai e ka pasur fjalën për Prokurorinë, e cila është shndërruar në mekanizëm të BE-së për shantazh ndaj Kosovës dhe për ndryshim të historinë së Kosovës. Ligjërisht, as Prokuroria nuk është mekanizim i BE-së, por praktikisht po. Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, ka shkruar ai.