Ish-deputeti i VV-së: Ndryshimi i qëndrimit të Konjufcës për Asociacioni s`është i rastësishëm
Ish-deputeti i VV-së, Afrim Kasolli, ka kritikuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca për ndryshim të qëndrimit rreth Asociacionit.
Ai ka thënë se ky ndryshim i qëndrimit ka ardhur pasi për këtë çështje ka ndryshuar qëndrim kryeministri Albin Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ndryshimi i qëndrimit nuk është i rastësishëm.
“Kushdo që dëshiron ta shoh më nga afër mënyrën se si mund të ekstrapolohet teoria dhe eksperimenti i Pavlovit mbi kushtëzimin klasik të prodhimit të sekrecioneve kur qentë e shohin pjatën e pronarit edhe në raportet politike dhe shoqërore te ne, mund t'a marrë rastin e kryekuvendarit Gluak Konjufca. Lehtësia e padurueshme se si ai i paska ndërruar bindjet dhe opinionet për Asociacioni dhe planin Franko-Gjerman është shembull paradigmatik i kësaj teorie”, ka shkruar ai.
Kasollli ia ka rikujtuar Konjufcës qëndrimet që i kishte kundër Asociacionit.
“Deri dje ai qirrej nëpër studio televizive për të parën se kurrë nuk do të zbatohet. Kurse sot duke dashur t'i bëjë qefin dhe t'ia plotësojë dëshirat shefit, por edhe të tentojë disi ta shpëtoj ftyrën, shet dokrra se si "duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit". Dhe ky ndryshim radikal i qëndrimeve nuk është i rastësishëm. Sepse tashmë ka ndërruar qëndrimi i shefit të tij. Duke qenë se të gjitha i ka nga ai, atëherë qëndrimit e te parit nuk janë asgjë tjetër, pos një zile për të, që nëse dëshiron të vazhdojë të ushqehet në pjatën e pushtetit duhet t'i sinkroizoj sjelljet e tij me ato të pronarit të tij politik dhe ideologjik, në këtë rast të Albin Kurtit”, ka shkruar Kasolli.