Isa Mustafa: Specialja u shty përpara nga Ndërkombëtarët - deklaratat e liderëve tanë të papërgjegjshme
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Gazetën Express ka thënë Gjykata Speciale është shtyrë nga ndërkombëtarët teksa ka vlerësuar rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër pretendimeve të Dick Martyt.
“E vlerësoj si një veprim shtetëror të përgjegjshëm dhe të bazuar. Raporti i Dick Martit atakon UÇK-në – Kosovën dhe Shqipërinë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore, gjë që ka rezultuar i pavërtetë dhe shumë i dëmshëm. Prandaj rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është në anën e së vërtetës. Edhe institucionet e Kosovës duhet të rreshtohen kah e vërteta”, ka thënë Mustafa për Express.
Ish-kryeministri ka reaguar edhe ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani për Gjykatën Speciale e cila ka thënë se nuk duhet harruar se kush e kishte formuar atë.
Mustafa këto deklarime po i sheh si të pa përgjegjshme pasi Gjykata Special është shtyrë përpara nga ndërkombëtarët.
“Duhet të theksoj se nuk është e vërtetë se njerëzit që sot po gjykohen mbi bazën e Raportit të Dick Martit dhe deputetëve rus, janë ata që e kanë shty përpara themelimin e Gjykatës Speciale. Është e papërgjegjshme të thuhet kështu nga liderët e Kosovës. Gjykatën e kanë shty përpara ndërkombëtarët. Janë shprehur qartë, ose themelone ju ose do ta themelojë Këshilli i Sigurimit me iniciativë të Rusisë dhe të Kinës, dhe se këtë iniciativë nuk do ta kundërshtojmë në qoftë se ju nu e themeloni”, ka thënë.
Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën që kundërshton raportin e Dick Martyt mbi të cilin u formua Gjykata Speciale.