Irani vazhdon të pretendojë se nuk është në bisedime me ShBA-në - NACIONALE

Irani vazhdon të pretendojë se nuk është në bisedime me ShBA-në

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha të hënën se vendi i tij nuk ka qenë i përfshirë në bisedime me Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës dhe nuk do të bëjë një gjë të tillë derisa sulmet ushtarake amerikane të marrin fund.

“Ne nuk kemi pasur bisedime me Amerikën në këto 31 ditë. Ajo që ka ndodhur është dorëzimi i një kërkese për bisedime, e shoqëruar nga një grup propozimesh nga Amerika, që kanë arritur te ne përmes ndërmjetësve të caktuar, përfshirë Pakistanin” – shkroi zëdhënësi iranian në rrjetin X, sipas gazetës “The Guardian”.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë. Tash për tash, përderisa agresioni ushtarak dhe pushtimi nga Amerika vazhdojnë me intensitet të plotë, të gjitha përpjekjet dhe kapacitetet tona i janë përkushtuar mbrojtjes së thelbit të Iranit. I kemi ndier përvojat e kaluara me mishin, lëkurën dhe eshtrat tanë dhe ne nuk e harrojmë tradhtinë që iu shkaktua diplomacisë në dy raste brena më pak se një viti” – shtoi ai.

Më herët, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, këmbënguli se janë duke u zhvilluar bisedime mes Uashingtonit e Teheranit.

“Elementet e mbetura” të regjimit iranian janë “gjithnjë më të etura për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, përderisa ende munden”, tha ajo.

Zëdhënësja amerikane shtoi se, pavarësisht “pozicionimit publik” të regjimit iranian dhe “raportimeve të rreme” të mediave, bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit janë “duke vazhduar dhe duke ecur mirë”.

Lajme të ngjashme