Irani thërret ambasadoren zvicerane për të paralajmëruar SHBA-në pas sulmit izraelit
Irani ka thirrur ambasadoren e Zvicrës në Teheran, Nadine Lozano, për t’i përcjellë një paralajmërim Shteteve të Bashkuara, duke akuzuar Uashingtonin për bashkëfajësi në sulmin e kryer nga Izraeli.
Sipas “CNN”, përfaqësuesit iranian i kanë thënë ambasadores se “ShBA duhet të mbahet përgjegjëse”.
“S’është e imagjinueshme që veprimet agresive të regjimit sionist kundër Iranit të jenë kryer pa bashkëpunimin, koordinimin ose të paktën pa dritën jeshile nga SHBA. Në këtë drejtim, SHBA duhet të mbahet përgjegjëse për sjelljen e saj të paligjshme” - thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar nga agjencia shtetërore IRNA.
Irani gjithashtu paralajmëroi kundër çdo mbështetjeje të SHBA-së për Izraelin gjatë përgjigjes së Teheranit, “përfshirë përpjekjet për të penguar Iranin të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje legjitime,” thuhet më tej në deklaratë.
SHBA dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike, dhe Zvicra vepron si përfaqësuese zyrtare e interesave amerikane në Iran.