Irani shpall pesë ditë zie për vdekjen e presidentit Raisi
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka njoftuar pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit të vendit, Ebrahim Raisi.
Raisi e humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit në një zonë malore në veriperëndimin të Iranit, bashkë me ministrin e Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, raporton televizioni BBC.
Mediat shtetërore e konfirmuan vdekjen e tyre, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin zyrtarit e lartë u rrëzua të dielën.
Khamenei i shprehu ngushëllime popullit iranian për vdekjen e presidentit. Raisi, 63 vjeç, ishte përmendur si pasardhës i mundshëm i liderit suprem.
Mediat shtetërore raportuan se më 28 qershor do të mbahen zgjedhje për të zgjedhur një president të ri.
Ndërkohë, nënpresidenti Mohammad Mokhber është ngarkuar përkohësisht me detyrat e presidentit.
Kabineti iranian gjithashtu e ka emëruar zëvendësministrin e Jashtëm, Ali Bagheri Kani, si ministër të Jashtëm në detyrë.