Irani paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër ndaj çfarëdo veprimi kundër interesave të tij
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha të martën se vendi i tij do të kundërpërgjigjet ndaj çfarëdo veprimi kundër interesave të Teheranit, sipas agjencisë studentore iraniane të lajmeve, një ditë pasi Izraeli paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet ndaj sulmit iranian të fundjavës me dronë e raketa.
“Ne kategorikisht deklarojmë se veprimi më i vogël kundër interesave iraniane sigurisht se do të ballafaqohet me një kundërpërgjigje të ashpër, të gjerë dhe të dhimbshme kundër cilitdo autor” – i tha Raisi emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, raporton agjencia “Reuters”.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, tha të hënën se sulmi i Iranit ndaj Izraelit – që ishte hakmarrje pas bombardimit të kompleksit të ambasadës iraniane në Damask të Sirisë – përligj një kundërpërgjigje.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Ali Bagheri, i tha televizionit shtetëror të hënën në mbrëmje se kundërsulmi i Teheranit pas ndonjë hakmarrjeje izraelite do të ishte “çështje sekondash, pasi Irani nuk do të presë 12 ditë të tjera për t’u kundërpërgjigjur”.