Irani kërcënon se do të kundërpërgjigjet nëse SHBA sulmon
Teherani kërcënoi të dielën me hakmarrje kundër bazave ushtarake të SHBA-së dhe kundërshtarit të tij të përhershëm, Izraelit, i cili ishte në gjendje të lartë gatishmërie në rast se Presidenti Donald Trump do ta konkretizonte kërcënimin e tij për të sulmuar Iranin për të mbrojtur protestuesit.
Ndërsa udhëheqja klerikale e Republikës Islamike po përballet me demonstratat më të mëdha që nga viti 2022, Trump ka përsëritur kërcënimin se do të sulmojë nëse përdoret forcë ndaj protestuesve, raporton Reuters.
Kryetari i Parlamentit Iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, duke folur në parlament të dielën, paralajmëroi kundër “një llogaritjeje të gabuar”.
“Të jetë e qartë: në rast të një sulmi ndaj Iranit, territoret e pushtuara (Izraeli), si dhe të gjitha bazat dhe anijet e SHBA-së, do të jenë objektiva tona legjitime,” tha Qalibaf, ish-komandant në Gardën Revolucionare iraniane.