Irani ekzekuton një burrë të akuzuar se kishte spiunuar për Izraelin
Irani ekzekutoi një burrë të akuzuar se kishte spiunuar për Izraelin, sipas një raporti të mediumit iranian të sistemit të drejtësisë, “Mizan”, i cili të dënuarin me vdekje e identifikoi si Padram Madani.
I mbërthyer në një luftë të gjatë në hije me Izraelin, Irani ka dënuar me vdekje shumë individë që i akuzon për lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe për lehtësim të operacioneve të kësaj agjencie në Republikën Islamike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Këtu përfshihen operacionet si vrasjet dhe aktet e sabotimit me qëllim të minimit të programit bërthamor të Teheranit.
I arrestuar në vitin 2020, Madani thuhet se ishte përpjekur që t’i dërgonte të dhëna të klasifikuara Izraelit rreth lokacioneve kritike në Iran, tha mediumi “Mizan”, duke shtuar se ai gjithashtu ishte akuzuar për sigurim të pasurisë përmes mënyrave të paligjshme.
Një iranian tjetër, Mohsen Langarneshin, u ekzekutua muajin e kaluar nën akuzat për spiunim dhe për bashkëpunim në fushën e inteligjencës me agjencinë Mossad të Izraelit.