Interesante, Raci duket se e kritikon pak Qeverinë Kurti: Aleanca me ShBA-në të ruhet si sytë e ballit
Gazmir Raci, analist i përhershëm në “Rubikon”, mbrëmë ka folur rreth situatës së fundit në raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.
Në fjalën e tij, Raci duket se e kritikon Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se është dashur të hynte në “dialog strategjik” me ShBA-në.
Megjithatë, krejt kjo zgjati pak. Pasi e përfundoi këtë “këshillim”, që mund të lexohet si një gjysmë kritikë, Raci iu kthy interpretimit kritik ndaj njerëzve që folën për listë të zezë të ShBA-së.
“Unë mendoj që është një problem më i thellë, është se kjo qeveri u dashtë prej ditës së parë të hyjë në dialog strategjik me ShBA-në, ashtu siç e bëri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. U dashtë të ulen me ShBA-në për të bërë dialogun për partneritetin strategjik dhe përmes atij dokumentit do të definoheshin të gjitha gjërat e partneritetit me ShBA-në. Për shkak që s'po ndodh, unë kam bërë thirrje që të ndodh. Po ashtu kam thënë që aleanca me Amerikën duhet të ruhet si sytë e ballit dhe kjo është e padiskutueshme. Nuk mendoj që ka dikush në Kosovë që e konteston, as kryeministri dje nuk e kontestoi” – tha ai mbrëmë në “Rubikon”.