Interesante: Një qytetar nga Tirana thotë se ka ardhur për pushime në Viti
Dëgjojmë shpesh për kolona në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos gjatë verës, kur shumë kosovarë ia mësyjnë bregdetit shqiptar për pushime. Sidoqoftë, duket se kjo lëvizje nuk është gjithmonë në një kah.
Në disa intervista që televizioni ATV ka realizuar në qytezën që shtrihet në juglindje të Kosovës, në rajonin e Anamoravës, një zotëri tha: “Ne jemi nga Tirana. Kemi ardhur për pushime këtu.”
Ai tha se është pensionist, kishte ardhur para dy ditëve dhe se po kalonte shumë mirë.
E pyetur nga gazetarja se si po i dukej Vitia, zotëria nga Tirana tha: “Mirë fare, qytet i bukur, i vogël, i mrekullueshëm.”
Kur u pyet se çfarë e bën Vitinë më të veçantë Vitinë se qytetet e tjera, pensionisti shqiptar tha: “Njerëzit e thjeshtë, të bukur dhe shumë t’dashur.”
Vitia nuk njihet shumë për turizëm, me përjashtim të turizmit shëndetësor, pasi atje ndodhet Banja e Kllokotit.