Insiston Ganimete Musliu: Ndryshimi i vetëm i presidentes është pesha
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu nxiti shumë reagime për shkak të një statusi ndaj presidentes Vjosa Osmani për të cilën tha se do të mbahet mend vetëm për kilogramët e hequra.
Megjithatë, Musliu thotë se deklarata e saj bëri “bujë” sepse fjalimi i adresimit vjetor i Osmanit sot para deputetëve ishte “skandal” dhe dukja trupore presidentes u përmend nga ajo vetë, siç thotë Musliu.
“Vetë fakti që presidentja ka vendosur që pamjen e saj ta bëj pjesë të fjalimit të adresimit vjetor, në vend që të ishte një adresim i cili do të duhet të barte një mesazh optimizimi, një mesazh unifikimi, një mesazh shprese për qytetarët e Kosovës në gjithë këtë turbullirë që është ka ndodhë në Kosovë, që është shkaktuar nga vetë këtë oponent politik, konsideroj që ajo është dashur ta zgjedh këtë mesazh ta shpërndaj tek qytetarët dhe jo të merret me dukjen e saj”, thotë Musliu në RTV Dukagjini.
Musliu tha se nuk intereson dukja e askujt dhe se Osmani po “viktimizohet” prapa fjalës grua.
“Tkurrja e rolit të saj në fenomenin grua, dhe duke u munduar të viktimizohet prapa fjalës grua kjo përbënë skandal në vete, fjalimi i saj ishte skandal. Kur ajo e përfshinë në fjalimin e saj, unë them që ndryshimi i saj është pesha, ndryshimi sinifikant i saj është pesha, sepse në mendje ajo nuk ka ndryshu. Është bërë president, pse duhet ta ketë gjitjë atë mllef të ngarkuar, mua më dhimbset”, thotë deputetja opozitare.
Në fjalimin vjetor të saj, ndër të tjera, presidenta e vendit, Vjosa Osmani tha se nuk zmbrapset as kur “sulmohet për pamjen”.
