Inflacioni 1.4 për qind në gusht, çmimet e biletave me rritje të madhe
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e harmonizuar të çmimeve për muajin gusht të vitit 2024.
Në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, inflacioni është rritur për 1.4 për qind.
Më së shumti rritje ka pasur sektori i biletave të udhëtimit, që është rritur prej 26.3 për qind, ndërsa pas vie çmimi i kafes, çajit dhe kakaos me 8.9 për qind rritje të çmimit.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4 % në muajin Gusht 2024 krahasuar me muajin Gusht 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (26,3%), kafja, çaji dhe kakao (8,9%), pushime të organizuara (7,5%), peshqit (6,3%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.(6,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,6%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (4,9%), veshje (4,5%), pijet alkoolike (4,3%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (3,7%), shërbimet financiare (3,7%), kujdesi personal (3,6%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (3,2%), buka dhe drithërat (3,2%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (3,0%), duhani (2,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (2,4%), pemët (2,3%), prodhimet ushqimore (2,1%), mishi (2,0%), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (1,2%), shërbimet hoteliere (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (0,7%) dhe energjia elektrike (0,7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,2 për qind në IHÇK” – shkruhet në njoftimin e ASK-së.