Incidenti me aeroplan, Ambasada e Kosovës në Turqi thotë se pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt
Ambasada e Kosovës në Turqi ka njoftuar se të gjithë pasagjerët e fluturimit Prishtinë–Stamboll janë evakuuar të sigurt pas incidentit të ndodhur sot në Aeroportin Sabiha Gökçen.
Sipas komunikatës, aeroplani i kompanisë AJet, Boeing 737-800 me numrat e fluturimit TKJ76Q / VF102, pas uljes ka dalë jashtë rrugës së taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës. Autoritetet turke kanë bërë të ditur se asnjë pasagjer nuk ka pësuar lëndime dhe se evakuimi është kryer përmes shkallëve të jashtme, pa pasur nevojë të përdoren rrëshqitësit emergjentë.
Ambasada bën të ditur se, sipas kompanisë ajrore, aeroplani ka realizuar një ulje të rregullt, por ka devijuar nga rruga e taksimit për shkak të terrenit të butë të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Pasagjerët kanë vazhduar më tej drejt destinacioneve të tyre nga aeroporti.
Në rast nevoje, Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi fton qytetarët e Republikës së Kosovës të kontaktojnë:
Ambasada e Republikës së Kosovës – Ankara
+90 542 711 80 99
embassy.turkey@rks-gov.net
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës – Stamboll
+90 531 105 63 91
consulategeneral.ist@rks-gov.net