IML konfirmon raportimin e Nacionales: Laboratori i Toksikologjisë në IML është jashtë funksionit
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar sot zyrtarisht raportimin e gazetës Nacionale se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit tash e disa muaj. Ky laborator, i domosdoshëm për analizat toksikologjike në rastet e vdekjeve të dyshimta, është jashtë përdorimit për shkak të renovimit të hapësirave të objektit të IML-së.
Nacionale raportoi sot se finalizimi i raportit final të Mjekësisë Ligjore për Agon Zejnullahun, mund të vonojë. Kjo pasi një nga laboratorët më të rëndësishëm në IML, është jashtë funksionit.
Nacionale ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit tash e sa muaj, që kur objekti i IML-së ishte djegur.
IML para pak minutave konfirmoi se “Laboratori i Toksikologjisë në IML është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësiren e Laboratoreve.”
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM
Pas pyetjeve dhe kërkesave të shumta që kanë ardhur në adresë të Institutit për Mjekësinë Ligjore (IML) në lidhje me Laboratorin e Toksikologjisë, ju njoftojmë se Laboratori i Toksikologjisë në IML është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësiren e Laboratoreve.
Menjëhere pas përfundimit të këtij procesi në shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kerkuara.
Duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të ndjeshme të pajisjeve, si dhe kompleksitetin teknik të sistemit të gazrave i cili përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë kësaj periudhe ka qenë e pamundur.
Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës.